Zyrtarët kinezë po shqyrtojnë shitjen e operacioneve amerikane të TikTok-ut Elon Musk-ut nëse ByteDance, që zotëron platformën sociale, nuk arrin të parandalojë ndalimin e saj në SHBA. Burime të cituara nga “Bloomberg” specifikuan se zyrtarët kinezë do të preferonin që TikTok-u të qëndronte nën kontrollin e kompanisë mëmë. Ndërkaq, Bytedance i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar ndalimin e operacioneve në Amerikë.
Më 10 janar, Gjykata e Lartë dukej e prirur të mbështeste një ligj që do të detyronte shitjen ose do të ndalonte aplikacionin e videove të shkurtra TikTok në Shtetet e Bashkuara duke nisur nga 19 janari ndërsa gjykatësit u përqëndruan në shqetësimet mbi një kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare.
Platforma sociale thotë se ligji shkel Amendamentin e Parë dhe duhet të hidhet poshtë. Kompania ByteDance, e cila ka në pronësi TikTokun, e ka qendrën në Kinë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara thotë se “kjo paraqet kërcënim të mundshëm të sigurisë kombëtare”.
Zyrtarët amerikanë shprehen se autoritetet kineze mund ta detyrojnë TikTokun t’i dorëzojë të dhëna të ndjeshme të një numri shumë të madh të amerikanëve që e përdorin këtë platformë apo mund të ndikojë në shpërndarjen e informacionit në të. Një gjykatë e apelit la në fuqi ligjin, i cili ndalon TikTokun nëse nuk shitet.
Ligji hyn në fuqi më 19 janar, një ditë para fillimit të mandatit të presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili numëron 14.7 milion ndjekës në TikTok. Udhëheqësi republikan thotë se dëshiron “ta shpëtojë TikTok-un”.
Gjatë seancës së 10 janarit ku u dëgjuan argumentet, 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë pyetën avokatët që përfaqësonin platformën TikTok, kompaninë kineze ByteDance, si dhe përdoruesit e aplikacionit në lidhje me rrezikun që qeveria e Kinës të shfrytëzojë platformën për të spiunuar amerikanët e për të kryer operacione të fshehta ndikimi, ndërsa shqyrtuan gjithashtu shqetësimet lidhur me lirinë e fjalës.
Disa gjyqtarë ngritën shqetësime për ndikimin e ligjit në lirinë e fjalës, por shqetësimi i tyre dukej i përqendruar tek ndërlikimet mbi sigurinë kombëtare, në kushtet kur një platforme e mediave sociale me pronarë të huaj mbledh të dhëna nga 170 milion përdorues amerikanë, rreth gjysma e popullsisë së Shteteve të Bashkuara.