Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka përshpejtuar procedurën për dëgjimin e argumentave verbale mbi padinë e ngritur nga kompania kineze ByteDance, në pronësi të së cilës është rrjeti social TikTok.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, kompania e ka paraqitur këtë padi ndaj një ligji të ri të Kongresit Amerikan që do ta ndalonte këtë platformë të medias sociale, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
TikTok-u, platforma më e njohur e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara është bërë pjesë e kulturës amerikane. Por pronësia e saj kineze dhe aksesi i mundshëm i Pekinit te të dhënat e shumta personale, si dhe aftësia për të ndikuar opinionin publik për përdoruesit amerikanë, e shtyu Kongresin ta ndalonte.
Kjo ndodhi pavarësisht se drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u bëri thirrje përdoruesve amerikanë të platformës së tij që ta kundërshtojnë ligjin e ri.
Mbroni të drejtat tuaja kushtetuese. Bëjini zërat tuaj të dëgjohen!
Nëse nuk ndryshon diçka nga një vendim i Gjykatës së Lartë, kompania kineze ByteDance që zotëron TikTok-un do të humbasë përfshirjen në tregun e saj më të madh më 19 janar. Profesori i Juridikut në Universitetin e Minesotës, Alan Rozenshtein:
Nëse supozojmë se Gjykata e Lartë do ta mbështesë ligjin e nëse administrata e re Trump nuk gjen një zgjidhje tjetër që dyshoj se do të jetë në gjendje ta bëjë do të duhet që ose të shitet TikTok-u, ose të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara.
Joe Biden dhe Donald Trump e kanë mbështetur masën e ndalimit. Por presidenti i zgjedhur shprehu një ndryshim mendimi kohët e fundit, pasi videot e tij të fushatës gjatë zgjedhjeve patën rezultate të mira në TikTok.
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjon sot apelimin e kompanisë së mediave sociale.
Gjyqtarët do të peshojnë argumentin e sigurisë kombëtare përkundër garancive kushtetuese të fjalës së lirë për filialin amerikan të kompanisë ByteDance dhe 170 milion përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, shpjegon profesori Rozenshtein.
Ky është njëri dimension i konfliktit. Por në një kuptim tjetër, është gjithashtu një luftë brenda vetë fjalës së lirë, sepse një gjë që qeveria po argumenton është se një nga rreziqet e zotërimit kinez të TikTok-ut është se qeveria kineze do të jetë në gjendje të manipulojë algoritmin dhe për këtë arsye të shtrembërojë vetë mjedisin e fjalës së lirë.
Investitori kanadez, Kevin O’Leary thotë se e ka informuar presidentin e zgjedhur Trump se është pranë arritjes së një marrëveshjeje për të blerë aksionet amerikane të TikTok-ut, gjë që do ta shpëtonte atë nga ndalimi.
Doja të informoja atë dhe anëtarët e tjerë të kabinetit për atë që po bëjmë dhe se do të na duhet ndihma e tyre.
Presidenti i zgjedhur Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta pezullojë çështjen, në mënyrë që ai të mund të negociojë një shitje të platformës, pas inaugurimit të dytë më 20 janar, një ditë pasi të ketë hyrë në fuqi masa e ndalimit.