Gossip

Tension mes princit William dhe princit Andrew?

Një moment i ftohtë mes princit William dhe xhaxhait të tij, princit Andrew, ka tërhequr vëmendjen e publikut gjatë funeralit familjar të Dukeshës së Kentit.

Videoja e publikuar nga raportuesi mbretëror Chris Ship tregon çastin kur Andrew përpiqet t’i flasë nipit të tij, por William mbetet serioz dhe i distancuar, duke u mjaftuar vetëm me një tundje të lehtë të kokës, pa i drejtuar asnjë fjalë.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi princi Andrew, 65 vjeç, njoftoi më 17 tetor se do të hiqte dorë nga përdorimi i titujve dhe nderimeve mbretërore – një vendim që, sipas burimeve, ishte diskutuar më parë edhe me princin William, 43 vjeç.

Megjithatë, raportime nga “The Sunday Times” tregojnë se trashëgimtari i fronit nuk është plotësisht dakord me mënyrën si është menaxhuar situata dhe, sipas burimeve, planifikon që në të ardhmen, kur të bëhet mbret, t’i përjashtojë Andrew-n dhe ish-bashkëshorten e tij Sarah Ferguson nga pjesëmarrja në ngjarjet zyrtare mbretërore, përfshirë edhe ceremoninë e kurorëzimit.

Princi Andrew u tërhoq nga jeta publike në vitin 2019, pas skandalit të lidhjeve me financierin Jeffrey Epstein, megjithatë ai ka vijuar të marrë pjesë në evente familjare dhe dasma mbretërore.

Në funeral ishin të pranishëm gjithashtu mbreti Charles, princesha Kate Middleton dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore.

As Pallati Buckingham dhe as Pallati Kensington nuk kanë dhënë komente mbi raportimet e fundit, por pamjet e përhapura kanë ringjallur diskutimet për marrëdhëniet e ftohta dhe ndarjet e brendshme në familjen mbretërore britanike.