Aktualitet Rajoni

Kryediplomati Hoxha në Bruksel: Zgjerimi i BE-së, zgjedhje strategjike për paqe dhe stabilitet!

Sot në Bruksel, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin informal mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian e homologëve nga Ballkani Perëndimor.

Hoxha theksoi se për Shqipërinë, procesi i zgjerimit të Unionit, përbën zgjedhje strategjike e garancinë më të fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik.

Besojmë se zgjerimi është po aq i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Europian. Ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë, por edhe i besueshëm dhe i prekshëm.

Ndër të tjera, Hoxha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar në këtë drejtim.

Shqipëria ka investuar vazhdimisht dhe do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sepse nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme.

Në mesazhin pas takimit të publikuar në X, ministri Hoxha u shpreh se bota po përballet me sfida të thella gjeopolitike, duke theksuar se uniteti i qëllimit dhe veprimit, sot është domosdoshmëri.

Rregullat dhe siguritë që për një kohë të gjatë i konsideronim garanci të stabilitetit, sot duken gjithnjë e më të brishta. Në këtë kontekst, uniteti nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.

Për Shqipërinë, përafrimi me Bashkimin Europian nuk është një menu nga e cila mund të zgjedhim sipas dëshirës. Ne i lejojmë vetes vetëm një përqindje: 100%.

Duke folur për Ballkanin Perëndimor, kryediplomati nënvizoi nevojën për adresimin e çështjeve të hapura dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ballkani i së kaluarës mund t’i përkasë historisë, por rajoni duhet të bëjë më shumë për të merituar plotësisht kuptimin politik dhe demokratik të termit ‘Perëndimor’.

Hoxha theksoi edhe rëndësinë e përballjes me kërcënimet kibernetike e hibride:

Sa më shumë t’i afrohemi Bashkimit Evropian, aq më të sofistikuara bëhen këto kërcënime. Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi dhe qëndrueshmëria janë thelbësore.