Të paktën 15 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën si pasojë e një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7.8 që goditi jugun e Filipineve në mëngjes.
12 nga viktimat u raportuan në Soccsksargen, rajon që përfshin katër provinca dhe një qytet: Cotabato Jugore, Sulltan Kudarat, Sarangani e Santos City
Sipas autoriteteve, epiqendra u lokalizua në brigjet pranë qytetit General Santos në ishullin Mindanao, rajoni më jugor dhe një nga më të mëdhenjtë në vend.
Pas lëkundjeve të forta, disa shtete të rajonit, përfshirë Filipinet, Indonezinë dhe Japoninë, lëshuan paralajmërime për cunami. Shumica e këtyre paralajmërimeve u tërhoqën.
Instituti Filipinas i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë bëri të ditur se valë cunami janë regjistruar në gjashtë zona të Mindanaos, kryesisht përgjatë bregdetit jugor. Lartësia më e madhe e regjistruar arriti në 1.4 metra.
Sipas të dhënave zyrtare, tërmeti kishte thellësi 10 kilometrash, duke ndikuar në rritjen e intensitetit të ndjerë në sipërfaqe.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., urdhëroi agjencitë përkatëse shtetërore të reagojnë menjëherë ndaj emergjencës, duke u bërë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara të zhvendosen në vende më të larta.
Ndërkohë, aktiviteti sizmik vazhdon. Deri më 11:00 sipas orës lokale, janë regjistruar 138 lëkundje pasuese pas tërmetit kryesor, duke mbajtur autoritetet në gjendje gatishmërie të lartë.