Policia e Tiranës vuri në pranga një 28-vjeçar, në kërkim se për shkak të detyrës dhunoi një mjek. Ndërkohë i riu dyshohet se gjatë muajit shkurt ka kryer edhe 3 vjedhje, si dhe ka kanosur një person. Policia njofton zyrtarisht se menjëherë pas kallëzimit të një personi, se për shkak të detyrës mjek, ishte dhunuar në rrugë, nga një shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat, në kuadër të operacionit “Eksponenti”, u ndalua shtetasi E. H., 28 vjeç, i cili nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjithashtu rezultoi se ky shtetas, më datë 01.02.2026, ka kanosur shtetasin D. D., në banesën e këtij të fundit.
Më tej, dyshohet se shtetasi E. H., më datë 08.02.2026, ka vjedhur në një banesë në Yzberisht, ndërsa më datë 10.02.2026, ka vjedhur në 2 kompani në rrugën e fshatit Prush.
Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha veprimtarive kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë shtetasi E. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.