Lifestyle Tech

TikTok prezanton ushtrime meditimi për adoleshentët që qëndrojnë zgjuar pas orës 22:00?

TikTok ka njoftuar një masë të re për të mbështetur mirëqenien mendore të adoleshentëve, duke nisur zbatimin e ushtrimeve të meditimit për përdoruesit nën 18 vjeç që përdorin aplikacionin pas orës 22:00.

Nëse adoleshentët vazhdojnë të shikojnë video pas këtij orari, aplikacioni do t’i ndërpresë përkohësisht me një ushtrim relaksues që synon të promovojë gjumin e qetë dhe të shëndetshëm.

Në rast se përdoruesi zgjedh ta injorojë këtë nismë, TikTok do të shfaqë një njoftim të dytë më të vështirë për t’u shmangur.

Kjo veçori do të jetë e aktivizuar automatikisht për të miturit, ndërsa të rriturit do të kenë mundësinë ta aktivizojnë vetë.

Kompania njoftoi gjithashtu se do të ofrojë hapësirë reklamuese falas për organizatat që promovojnë shëndetin mendor, si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar të rinjtë që përballen me presionin e rrjeteve sociale.

Në të njëjtën kohë, edhe kompani të tjera si Meta dhe Snapchat kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm. Meta ka prezantuar llogari të kufizuara për adoleshentët, ndërsa Snapchat ka shtuar barriera për të parandaluar kontaktin mes të rinjve dhe të rriturve të panjohur.