Bota

Toka vazhdon të dridhet në Karakas!

Toka vazhdon të dridhet në Karakas pas tërmetit të dyfishtë që goditi Venezuelën. Më herët, presidentja e vendit, Delcy Rodriguez, raportoi se janë dëmtuar ndërtesa, përfshirë godina banimi në kryeqytetin Karakas dhe në shtetet Miranda, La Guaira, Aragua, Carabobo e Falcon.

Në rrjetet sociale, ish-presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, aktualisht i ndaluar në Shtetet e Bashkuara, bëri thirrje për unitet kombëtar dhe ndihmë reciproke pas tërmeteve të fuqishëm që goditën Venezuelën, duke shkaktuar viktima dhe shkatërrime.

Në këtë orë të vështirë, ne bëjmë thirrje për unitet kombëtar, qetësi dhe ndihmë konkrete: për të ndihmuar, mbrojtur, ndarë, ngritur dhe rindërtuar, shkroi Maduro në një deklaratë të publikuar në X.

Infrastruktura e naftës e Venezuelës nuk është dëmtuar, sipas burimeve të agjencisë britanike të lajmeve Reuters.

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, tha se mjekët kubanezë në Venezuelë janë mobilizuar për të ndihmuar popullsinë e prekur nga tërmeti i dyfishtë që ka shkaktuar vdekje, lëndime dhe dëme të rënda në vend.

Punonjësit tanë të shëndetësisë të pranishëm atje janë mobilizuar plotësisht dhe po ofrojnë shërbime mjekësore për popullsinë e prekur. Ngushëllime të thella dhe solidaritet me qeverinë dhe popullin vëlla të Republikës Bolivariane të Venezuelës për humbjen e jetëve dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti.