Ylli i Hollivudit, Tom Cruise, vazhdon të sfidojë moshën dhe gravitetin, duke u shfaqur më energjik se kurrë gjatë premierës së filmit të tij të ri “Mission: Impossible The Final Reckoning” në New York. Aktori 62-vjeçar, i njohur për rolet sfiduese dhe realizimin e vetë skenave të rrezikshme, habiti publikun dhe gazetarët me përgjigjen e tij për të ardhmen në kinema.
Gjatë një interviste në tapetin e kuq, një gazetare e pyeti se kur planifikon të ndalojë së xhiruari filma aksion. Cruise, me buzëqeshjen e tij karakteristike, e korrigjoi me shpejtësi:
“Në fakt, nuk thashë që do të ndal në të 80-at. Thashë që do të bëj filma deri në të 100-at!”
Ai shtoi se nuk ka në plan të largohet nga filmat aksion, por njëkohësisht është i hapur të realizojë edhe projekte në zhanret e humorit, romancës dhe dramës.
Filmi më i fundit në serinë e famshme “Mission: Impossible” tregon Ethan Hunt-in (personazhin legjendar të Cruise), teksa përballet me një inteligjencë artificiale kërcënuese të quajtur The Entity. Filmi është shkruar dhe drejtuar nga Christopher McQuarrie, dhe përfshin aktorë si Simon Pegg, Hayley Atwell, Pom Klementieff dhe Tramell Tillman.
Tom Cruise, i lindur më 3 korrik 1962 në Syracuse, New York, u bë i njohur në vitet 1980 dhe prej dekadash mbetet një ndër ikonat më të mëdha të kinemasë botërore. Me këtë deklaratë të fundit, ai u konfirmon fansave se nuk ka ndërmend të ndalet.