Celebrities Gossip Showbiz

Katie Holmes nuk e fsheh më romancën e re! Aktorja fotografohet dorë për dore me partnerin?

Katie Holmes duket se po jeton një kapitull të ri në jetën e saj sentimentale. Aktorja amerikane është fotografuar sërish në shoqërinë e partnerit të ri, artistit Jason Bard Yarmosky, teksa të dy shëtisnin të kapur për dore në rrugët e New Yorkut.

Dalja e tyre publike është e treta brenda pak javësh dhe vjen në një kohë kur mediat amerikane raportojnë se marrëdhënia mes tyre po bëhet gjithnjë e më serioze.

Çifti mori pjesë në eventin “SoHo Sessions”, të organizuar në mbështetje të organizatës Animal League, ku performoi këngëtarja Sienna Spiro. Për këtë mbrëmje, Holmes u shfaq me një bluzë në ngjyrë korali, të kombinuar me pantallona të zeza lëkure, ndërsa nuk munguan momentet e afërsisë me partnerin e saj.

Thashethemet për romancën nisën në fillim të këtij muaji, kur Holmes dhe Yarmosky u panë së bashku në premierën e filmit “The Invite”. Pas shfaqjes, ata u fotografuan duke ecur dorë për dore jashtë kinemasë, ndërsa dëshmitarët thanë se gjatë mbrëmjes nuk i kursyen gjestet e afeksionit.

Pak ditë më vonë, dyshja u fotografua edhe gjatë një darke romantike në Manhattan. Në një moment, fotografët kapën Katie Holmes duke përqafuar artistin, duke shtuar edhe më shumë bindjen se mes tyre ka lindur një histori dashurie.

Jason Bard Yarmosky është një artist i njohur me bazë në New York, i cili ka ndërtuar emrin e tij përmes pikturave dhe vizatimeve që trajtojnë tema si kalimi i kohës, plakja dhe kujtesa. Ai është diplomuar në School of Visual Arts dhe veprat e tij janë ekspozuar në muze e galeri të shumta në Shtetet e Bashkuara.

Një nga projektet e tij më të njohura është seria e portreteve “The Eternal Women of New York”, e cila u ekspozua në vitrinat e dyqanit luksoz Bergdorf Goodman në Fifth Avenue.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Holmes dhe Yarmosky u njohën muajin e kaluar gjatë një darke të organizuar në kuadër të Festivalit Tribeca. Pas atij takimi, marrëdhënia mes tyre u zhvillua shpejt dhe tashmë duket se nuk kanë më dëshirë ta mbajnë larg syrit të publikut.

Kjo është lidhja e parë publike e Katie Holmes që pas ndarjes nga muzikanti Bobby Wooten III në vitin 2022. Më herët, ajo ishte për gjashtë vjet në një lidhje me aktorin Jamie Foxx.

Aktorja ishte e martuar me Tom Cruise nga viti 2006 deri në vitin 2012. Nga kjo martesë ata kanë vajzën Suri, e cila tashmë është 20 vjeçe dhe jeton me nënën e saj pas divorcit të shumëpërfolur të çiftit.