Ylli i Hollivudit, Tom Cruise, ishte në krye të listës së të ftuarve VIP që kaluan në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Kanë, me rastin e premierës së filmit të tij të fundit “Mission: Impossible – The Final Reckoning”. Aktori 62-vjeçar u shoqërua nga aktoret kryesore të filmit; Hayley Atwell, Pom Klementieff dhe Hannah Waddingham, si dhe nga emra të tjerë të njohur të kinemasë.
Kjo është pjesa e tetë dhe e fundit e sagës “Mission: Impossible”, një projekt shumë i pritur që ka hasur disa vonesa gjatë rrugës, por që pritet të shfaqet në kinematë botërore më 23 maj 2025. Hayley Atwell rikthehet në rolin e Grace, një ish-vjedhëse që tashmë është bërë agjente e IMF-së dhe partnere e personazhit të Cruise, Ethan Hunt. Aktorja mahniti me një fustan të kuq voluminoz që tërhoqi vëmendjen në tapetin e kuq.

Ndërkohë, Hannah Waddingham, e cila do të shfaqet në një rol të shkurtër në film siç u zbulua së fundmi në trailerin e publikuar u paraqit me një fustan rozë të çelët, duke reflektuar elegancën klasike të Hollivudit. Në premierë ishte i pranishëm edhe Simon Pegg, bashkëaktor i kahershëm i Cruise në këtë seri filmash. Ndërsa Pom Klementieff guxoi me një fustan gjysmë transparent, duke sfiduar kodin e ri dhe të rreptë të veshjes që tashmë aplikohet në Kanë.

Rikujtojmë se çdo vit, gjatë festave të Krishtlindjeve, Tom Cruise i befason miqtë e tij me një dhuratë të pazakontë, një tortë të bërë me çokollatë të bardhë dhe kokos, e cila u bë e njohur si “torta Tom Cruise”. Aktori e praktikon këtë zakon interesant prej shumë vitesh dhe receta e tortës dhe dërgimi i saj është kthyer në një traditë të vërtetë festash mes miqve të tij. Aktorja Cobie Smulders e cila njihet për rolin e saj si Robin në serialin komik të njohur “How I Met Your Mother” ishte e ftuar në Jimmy Fallon dhe zbuloi se çdo vit e merr këtë tortë speciale nga Tom.