Celebrities Gossip Showbiz

Tom Cruise i habit të gjithë me transformimin drastik në filmin e ri!

Tom Cruise ka surprizuar publikun me transformimin e tij të jashtëzakonshëm në filmin e ri “Digger”, ku shfaqet pothuajse i panjohur falë grimit, protezave dhe një ndryshimi tërësor të pamjes.

Trailer-i i parë i filmit, me regji të fituesit të Oscarit Alejandro González Iñárritu, u publikua së fundmi dhe zbulon Cruise në rolin e miliarderit ekscentrik Digger Rockwell.

Në pamjet e para, aktori shfaqet me flokë të thinjura, fytyrë të transformuar me proteza dhe një pamje dukshëm më të moshuar, krejt ndryshe nga imazhi me të cilin publiku është mësuar ta shohë.

Transformimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë fansa pranuan se nuk e njohën menjëherë yllin e Hollywood-it.

Nuk ka mundësi që është Tom Cruise

-ishte një nga komentet më të përsëritura pas publikimit të trailer-it.

Edhe posteri zyrtar i filmit ka tërhequr vëmendje. Në të, Cruise shfaqet i veshur me kostum, kapelë kauboji dhe një lopatë në dorë, ndërsa qëndron mbi një glob, një imazh që pasqyron tonin satirik të projektit.

“Digger” shënon rikthimin e Cruise në një rol krejtësisht ndryshe nga filmat aksion që kanë dominuar karrierën e tij vitet e fundit. Ky është projekti i tij i parë i madh jashtë serive “Mission: Impossible” dhe “Top Gun” që nga “American Made” në vitin 2017.

Filmi është një komedi e zezë satirike, ku Cruise interpreton një baron nafte nga jugu i Shteteve të Bashkuara, i cili përpiqet të ndalojë një katastrofë ekologjike globale që, në mënyrë ironike, lidhet edhe me veprimet e tij të së kaluarës.

Krahas Tom Cruise, në kast bëjnë pjesë edhe Sandra Hüller, Jesse Plemons, John Goodman, Riz Ahmed, Michael Stuhlbarg, Emma D’Arcy dhe Robert John Burke.