Aktualitet

Trafik armësh me postë nga SHBA, kapet në flagrancë 32-vjeçari!

Policia ka goditur një rast të trafikut të armëve me postë. Në pranga është vënë një 32-vjeçar, i cili u kap në flagrancë në një degë postare.

Policia bën me dije se i riu u arrestua teksa merrte një pako me pjesë armësh, në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”.

Atij iu sekuestruan 1 tytë arme zjarri, 1 silenciator, 2 krehra dhe pjesë të tyre, si dhe 2 celularë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, operacioni i koduar “Delivery”.

Goditet një tentativë për të trafikuar nga ShBA-ja, pjesë armësh zjarri.

Kapet në flagrancë, duke marrë një pako me pjesë armësh, në një degë postare, një 32-vjeçar.

Sekuestrohen 1 tytë arme zjarri, 1 silenciator, 2 krehra dhe pjesë të tyre, si dhe 2 celularë.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera pas indicieve për një rast të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit, nëpërmjet shërbimit postar, nga ShBA-ja në Shqipëri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Delivery”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 32 vjeç, banues në Tiranë, teksa merrte një pako me pjesë armësh, në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”.

Pjesët e gjetura në pako dyshohet se janë trafikuar nga ShBA-ja.

Hetimi vijon për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.