Aktualitet

Trafik ndërkombëtar i drogës, 52 arrestime mes Italisë dhe Shqipërisë, sekuestrohen pasuri me vlerë miliona euro!

Një operacion i madh kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, i koduar me emrin “Ura”, çoi në arrestimin e 52 personave mes Italisë dhe Shqipërisë.

Bastisja u krye nga Drejtoria e Hetimit Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare, SPAK, me asistencën e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë së Tiranës dhe policisë shqiptare, me bashkërendimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizmit të Romës.

Operacioni synon të luftojë trafikun e pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuar nga organizata kriminale shqiptare, të cilat lëvizin sasi të mëdha të heroinës dhe kokainës mes Ballkanit, Evropës Veriore Puljias.

Deri tani janë lëshuar 52 urdhër-arrreste, ku në operacion po marrin pjesë agjentë të BKH-së, policisë dhe antimafies italiane.

Operacioni lidhet me goditjen e grupeve të strukturuara kriminale, që dyshohet se janë përfshirë në trafik të lëndëve narkotike dhe veprimtari të tjera të krimit të organizuar.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi numrin e të ndaluarve apo detaje mbi personat e përfshirë.

Sipas disa burimeve, janë përfshirë avokatë, biznesmen, policë, zyrtarë si dhe personazhe të botës së krimit.

Gjithashtu janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë prej disa milionë eurosh. Të arrestuarit akuzohen, në shkallë të ndryshme, për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të narkotikëve, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Sipas mediave italiane, operacioni “Ura” parashikon ekzekutimin e vendimeve për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe në Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa miliona eurosh, si dhe urdhra për arrest me burg, të lëshuara nga gjyqtari hetues i Barit dhe nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndaj 52 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.