Së fundmi reperi amerikan, J $tash, ka ekzekutuar me armë zjarri të dashurën e tij në shtëpinë e çiftit në Los Anxhelos, e më pas ka drejtuar pistoletën nga vetja, ndërsa 3 fëmijët e viktimës ndodheshin në dhomën tjetër. Ngjarja tragjike ndodhi në ditën e parë të vitit. Policia fillimisht u nis për në vilën e tyre në periferi të qytetit pasi kishte marrë njoftim për një episod dhune në familje rreth orës 7 të mëngjesit të 1 janarit. Por kur mbërritën aty gjetën trupat e pajetë të Jeanette Gallegos dhe J $tash, të dy 28-vjeç.
J $tash, emri i vërtetë i të cilit është Justin Joseph, jetonte me Gallegos prej thuajse një viti. Policia tha se pas një sherri, ai e kishte mbyllur atë në dhomë. Togeri i Policisë së Los Anxhelosit, Derrick Alfred, tha se fëmijët e gruas ishin të gjithë pas derës, të shqetësuar për mamanë e tyre. Më pas ata kishin telefonuar gjyshen e cila i kishte udhëzuar që të merrnin policinë. Të tre fëmijët, 7, 9 dhe 11-vjeç, u larguan nga shtëpia pasi njoftuan policinë, por tragjedia nuk u shmang dot.

Jeanette Gallegos, nënë e tre fëmijëve, kishte studiuar në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, Los Anxhelos dhe ishte diplomuar në vitin 2019. Ajo punonte si kërcimtare në ‘Crazy Girls’ në Hollywood. “The Sun” raportoi se Jeanette dhe J $tash jetuan së bashku në Temple City, Kaliforni, për disa muaj.
Ndërkaq, rikujtojmë se në vitin 2014, reperi u dorëzua në polici me akuzën se kishte dhunuar të dashurën e tij të atëhershme Danielle Phaeton. Ajo e akuzoi se e kishte lënë ndjenja gjatë një debati. Sipas ‘NY Daily News’, ai u akuzua se i kishte thyer buzën dhe hundën. Në një intervistë të mëvonshme, ai iu drejtua akuzave për abuzim në familje duke pranuar se e goditi viktimën, por duke pretenduar se veproi në vetëmbrojtje.