Film & Tv Gossip

Traileri i filmit biografik për Michael Jackson thyen çdo rekord! Sa shikime ka marrë në pak orë?

Traileri i parë i filmit biografik për Michael Jackson ka bërë histori, duke u kthyer menjëherë në një fenomen global. Vetëm disa orë pas publikimit, ai u bë traileri më i shikuar për një film biografik muzikor të të gjitha kohërave.

Sipas të dhënave të “WaveMetrix”, të publikuara më 8 nëntor, traileri arriti më shumë se 116.2 milionë shikime në mbarë botën, duke tejkaluar çdo rekord të mëparshëm për këtë zhanër.

Filmi, i prodhuar nga “Lionsgate” dhe i drejtuar nga Antoine Fuqua, do të dalë në kinema më 24 prill 2026.

Rolin e Mbretit të Popit e luan Jaafar Jackson, nipi i artistit legjendar, i cili do të interpretojë xhaxhain e tij në ekran.

Në krah të tij luan aktori i nominuar për “Oscar”, Colman Domingo, në rolin e Joe Jackson, babait të Michaelit.

Kasti përfshin gjithashtu Miles Teller si avokati John Branca, Kat Graham si Diana Ross, Nia Long si Katherine Jackson, Laura Harrier si Suzanne de Passe, Kendrick Sampson si Quincy Jones dhe Juliano Krue Valdi në rolin e Michael-it të vogël.

Suksesi i jashtëzakonshëm i trailerit ka habitur edhe vetë producentët. Presidenti i “Motion Picture Group” në Lionsgate, Adam Fogelson, deklaroi se pritja për filmin ka qenë shumë më e madhe se parashikimet, duke shtuar se ekziston mundësia që historia e Michael Jackson të vijojë edhe me një film të dytë.

Ekipi krijues po punon shumë për të sjellë sa më shumë nga historia e Michael menjëherë pas publikimit të filmit të parë

– tha Fogelson.

Megjithatë, projekti nuk ka kaluar pa polemika. Regjisori i dokumentarit “Leaving Neverland”, Dan Reed, e ka kritikuar ashpër filmin, duke pretenduar se ai “lavdëron një burrë që ka abuzuar me fëmijë”.

Ai shtoi se skenari, sipas një versioni që pretendon se ka lexuar, “e paraqet Jackson-in vetëm si një njeri të dashur dhe bamirës, duke shmangur çdo pjesë të errët të historisë së tij”.

Pavarësisht debatit, pritjet për filmin janë gjigante. Për shumë fansa, ky projekt pritet të jetë një homazh madhështor për jetën dhe trashëgiminë e artistit më të madh të muzikës pop në histori.