Aktualitet Travel

“Travel off Path”: Shqipëria mes 5 xhevahireve të Mesdheut!

“Nëse po planifikoni të kaloni pushime këtë vit, veçanërisht gjatë verës, Mesdheu ka të ngjarë të jetë në krye të listës tuaj të dëshirave. Deti Mesdhe kufizohet me disa nga destinacionet më të bukura në botë: Costa Del Sol në Spanjë, Riviera bruz e Francës, Cinque Terre e Italisë, Santorini dhe ishujt fqinjë në Greqi”, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Por, cilat destinacione duhet të vizitoni tani që të gjitha vendet më të famshme po shkatërrohen nga turizmi masiv dhe janë në pritje të turmave edhe më të mëdha në vitin 2025? Ne ju rekomandojmë pesë xhevahire të Mesdheut e që ende nuk janë prekur nga mbipopullimi. Ato ofrojnë temperatura të ngrohta, peizazhe, trashëgimi kulturore dhe në disa raste, çmime shumë më të lira:

1. Himara, Shqipëri

2. Korcula, Kroaci

3. Porto-Vecchio, në ishullin francez të Korsikës

4. Brindisi, Itali

5. Folegandros, Greqi

Himara, Shqipëri

Shqipëria mund të jetë zgjedhja juaj për një arratisje mesdhetare. Vendi ndodhet në afërsi të Italisë, Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi dhe është shtëpia e një vendpushimi të mrekullueshëm, Himarës. Një konglomerat fshatrash të vegjël që shtrihen në detin Jon, një nga nënndarjet më pak të njohura të Mesdheut.

E rrethuar nga Malet e Vetëtimës, Himara zbulon joshjen e “Botës së Vjetër” me trashëgiminë e saj shqiptaro-greke, vendbanimet historike të vendosura në majë shkëmbinjve, si dhe kalatë e rrënuara. Vendi me pamjen më mahnitëse në zonë, padyshim që është Dhërmiu, një fshat me shtëpi të bardha dhe Kishën e Shën Thanasit.

Mos humbisni plazhin e Gjipesë, një perlë me rërë të bardhë dhe plazhin parajsor të Palasës, me detin e kaltër e restorantet që ofrojnë një bollëk ushqimesh. Riviera Shqiptare është ndër destinacionet më të lira në Europë. Ushqimet në restorantet lokale kushtojnë më pak se 10 dollarë dhe akomodimi në vila të rinovuara e moderne me pamje nga deti kanë një kosto, duke filluar nga 57 dollarë.