Aktualitet

Tren me shpejtësi 120 km/orë për Durrës-Rrogozhinë! Hekurudha përfundon në…

Linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë pritet të përfundojë në vitin 2028. Një financimin i dhënë nga Bashkimi Europian në formë granti, me vlerë 60,5 milionë euro do të mundësojë ngritjen e një linje moderne e cila më pas do të shërbejë si zgjatim i Korridorit VIII që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Investimi i përgjithshëm kap vlerën e 120 milionë eurove dhe përveç grantit të BE-së, pjesë e financimit me kredi janë edhe BERZH e Banka Europiane e Investimeve.

Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, 34 km e gjatë, kryen lidhjen direkte midis Rrogozhinës, Lekajt, Kavajës, Golemit, Tiranës dhe Durrësit, si dhe integrimin me linjën hekurudhore Tiranë-Durrës dhe aeroportin.

Po ashtu, kryhet ndërlidhja me projektin Vorë-Hani i Hotit që është në fazë zbatimi dhe segmentit që lidh Rrogozhinën me Pogradecin, duke përfshirë edhe pjesën që lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe më pas me Bullgarinë.

Linja hekurudhore do të elektrifikohet dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar udhëtime me tren me shpejtësi deri në 120 km/orë.