Një kontroll i brendshëm financiar i ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare ka zbuluar shkelje të rënda dhe parregullsi në administrimin e fondeve në filialin e Durrësit.
Për rrjedhojë, është shkarkuar menjëherë nga detyra drejtoresha e këtij filiali, Elisabeta Mataj, ndaj së cilës është depozituar edhe një kallëzim penal në Prokurori.
Paralelisht me shkarkimin e Matajt, mësohet se ka dhënë dorëheqjen e menjëhershme edhe drejtuesja e financës në këtë filial, Valbona Hoti Duni.
Dyshimet paraprake flasin për një abuzim financiar që kap vlerën e rreth 3 milionë eurove.
Gjatë procedurave standarde të rakordimit të arkës në fund të muajit, fillimisht u konstatua një mungesë prej afërsisht 1 miliard lekësh.
Megjithatë, pas një analize më të thelluar dhe të detajuar nga audituesit, shuma e parregullsive dhe mungesave në fondet e shërbimeve të pagesave rezultoi edhe më e lartë.
Posta Shqiptare ka sqaruar zyrtarisht se fondet e abuzuara nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve, duke garantuar sigurinë e plotë të këtyre të fundit.
Zbulimi i shkeljeve erdhi nga kontrolli i ushtrua nga Drejtoria Ekonomike pas mospërputhjeve të konstatuara gjatë rakordimit rutinë të fondeve dhe raportimeve financiare.
Rasti është referuar menjëherë pranë organit të Prokurorisë, i shoqëruar me të gjithë dokumentacionin përkatës për ndjekje penale.
Ish-drejtoresha Elisabeta Mataj kishte marrë drejtimin e filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025. Ajo erdhi në këtë pozicion pas largimit të paraardhëses së saj, Etleva Budini, e cila fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të po atij viti, ku garoi në listat e hapura.