Tri nga kompanitë e Elon Musk; SpaceX, xAI dhe Tesla janë në lojë për një bashkim të mundshëm. Ndërsa bisedimet duket se janë në fazën e hershme, sipas raporteve nga Bloomberg dhe Reuters, kjo mund të çojë përfundimisht në shkrirjen e të paktën një kompanie në SpaceX.
Po diskutohen dy skenarë. Në njërin, SpaceX dhe Tesla do të bashkoheshin, sipas Bloomberg, duke cituar burime të paidentifikuara. Në një tjetër, SpaceX dhe aXI (e cila tashmë zotëron platformën e mediave sociale X të Musk) do të bashkoheshin.
Sipas raportimeve nga Reuters, një bashkim midis SpaceX dhe xAI mund të ndodhë përpara një IPO të planifikuar të SpaceX këtë vit. Kjo do të bashkonte produkte si chatbot-i Grok, platforma X, satelitët Starlink dhe raketat SpaceX nën një korporatë të vetme.
Përfaqësuesit e kompanive nga SpaceX dhe xAI nuk e kanë diskutuar këtë mundësi publikisht. Megjithatë, dokumentet e fundit tregojnë se dy entitete të reja korporative u krijuan në Nevada më 21 janar, të cilat quhen K2 Merger Sub Inc. dhe K2 Merger Sub 2 LLC.
Kjo sugjeron që Musk po i mban të gjitha opsionet hapur. Ka anë pozitive për secilin skenar. Bashkimi i kompanive SpaceX dhe xAI mund t’i lejojë xAI të vendosë qendrat e saj të të dhënave në hapësirë, diçka që Musk ka thënë se dëshiron. Një bashkim SpaceX-Tesla mund ta përshtasë biznesin e ruajtjes së energjisë të prodhuesit të automjeteve elektrike me idenë e qendrës së të dhënave në hapësirë gjithashtu.
Dhe të dyja opsionet si dhe një kombinim i të tre kompanive përputhen me komentet e Musk dhe veprimet e fundit për të konsoliduar, ose të paktën për të ndarë burimet midis tyre. Vitin e kaluar, SpaceX pranoi të investonte 2 miliardë dollarë në xAI, sipas The Wall Street Journal dhe më herët këtë javë, Tesla zbuloi se edhe ajo investoi 2 miliardë dollarë në startup-in me Al.