Bota

Trump mirëpret fitoren e CDU/CSU në Gjermani: Është një ditë e madhe për Berlinin dhe Uashingtonin!

“Është një ditë e madhe për Gjermaninë dhe për Shtetet e Bashkuara nën lidershipin e Trump. Urime të gjithëve”.

Kështu është shprehur vetë Donald Trump në rrjetin e tij social Truth, duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani.

“Duket se partia konservatore në Gjermani ka fituar me diferencë të madhe. Ashtu si në SHBA, edhe gjermanët janë lodhur nga politika pa sens, veçanërisht në çështjet e energjisë dhe imigracionit, që ka mbizotëruar për shumë vite.

Kjo është një ditë e madhe për Gjermaninë dhe për Shtetet e Bashkuara nën lidershipin e një zotërie të quajtur Donald Trump. Urime të gjithëve, shumë fitore të tjera do të vijnë”, ka deklaruar Trump.

Partia kristiandemokrate CDU/CSU ka fituar zgjedhjet parlamentare në Gjermani me 29% të votave, sipas exit poll-eve të para të publikuara nga televizioni publik Ard. Partia e Angela Merkel dhe Helmut Kohl do të rikthehet në drejtimin e qeverisë, ndërsa kancelari i ri pritet të jetë lideri i saj, Friedrich Merz, një ish-kundërshtar i brendshëm i Merkel.

E djathta ekstreme AfD ka arritur një sukses të madh, duke kaluar nga 10% në vitin 2021 në 19,5%, dhe është bërë forca e dytë politike në vend. Një rezultat i shkëlqyer për partinë e Alice Weidel, por numrat e bëjnë të pamundur formimin e një qeverie të djathtë mes Cdu dhe AfD, skenar që kishte shkaktuar shqetësime.

SPD, partia e kancelarit në largim Olaf Scholz, pëson një rënie të ndjeshme, duke zbritur në 16%.