Presidenti amerikan Donald Trump tha se ishte “shumë i habitur” dhe “i zhgënjyer” nga kritikat e ish-aleatit të tij Elon Musk ndaj projektligjit të tij kryesor të buxhetit.
“Eloni dhe unë kishim një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk e di nëse do ta kemi më,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
Ishte kritika më e drejtpërdrejtë e presidentit deri tani ndaj përpjekjeve lobuese të Musk kundër propozimeve për të ulur taksat dhe për të shkurtuar shpenzimet qeveritare – një plan që ka nxitur kritika nga Musk dhe disa republikanë.
Në përgjigje, Musk e përforcoi qëndrimin e tij në X dhe akuzoi presidentin për “mosmirënjohje të tillë”, duke shtuar: “Pa mua, Trump do ta kishte humbur zgjedhjen”.
Musk u largua nga posti i tij në Departamentin për Efiçencën e Qeverisë javën e kaluar pas 129 ditësh në detyrë, dhe Trump i dhuroi atij një çelës të artë gjatë një konference për shtyp përgëzuese më 30 maj.
Por në ditët që pasuan, ai e ka kritikuar vazhdimisht projektligjin e Trump për buxhetin që po kalon në Kongres, duke e quajtur një “turp të neveritshëm” dhe duke postuar: “Turp për ata që votuan për të: e dini që bëtë gabim.”
Projektligji kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve me mbështetjen e shumicës së republikanëve, me disa përfaqësues të partisë së Trump dhe të gjithë demokratët kundër.
Duke folur me gazetarët gjatë një konference për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz të enjten, Trump tha: “Po bëjmë gjëra në atë projektligj që janë të pabesueshme.
Jam shumë i zhgënjyer sepse Eloni i njihte mekanizmat e brendshëm të këtij projektligji më mirë se pothuajse kushdo tjetër këtu,” tha ai. “Papritur pati një problem.”
“Ai nuk ka thënë asgjë të keqe për mua personalisht, por jam i sigurt që ajo është gjëja tjetër që do të vijë.”
I vënë në krye të shkurtimit radikal të shpenzimeve qeveritare, Musk nisi shkarkime masive dhe eliminimin e plotë të departamenteve të tilla si Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
“Doge” pretendon se ka kursyer 180 miliardë dollarë, megjithëse kjo shifër është kontestuar, dhe është larg objektivit fillestar të Musk për të shkurtuar shpenzimet deri në 2 trilionë dollarë.