Bota

Tubimet anti-Trump, protestat No Kings tërheqin pjesëmarrje masive në Amerikë!

Turma të mëdha njerëzish u mblodhën duke protestuar kundër politikave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kryesisht në Nju Jork, Uashington, Çikago, Miami dhe Los Anxheles.

Me mijëra njërëz u mblodhën në sheshin ikonik “Times Square” në Nju Jork. Rrugët dhe hyrjet e metrosë ishin të mbushura me protestues që mbanin pankarta me slogane si: “Demokraci jo Monarki” dhe “Kushtetuta nuk është opsionale”.

Përpara demonstratave, aleatët e Trump-it akuzuan protestuesit se ishin të lidhur me lëvizjen e ekstremit të majtë “Antifa”, duke dënuar atë që e quajtën si “Tubimi i urrejtjes së Amerikës”.

Por, organizatorët dhe protestuesit thanë se tubimet janë paqësore.

Shmangia e dhunës është një parim thelbësor i demonstratave, deklaruan organizatorët në faqen e tyre të internetit, duke iu bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ulnin tensionet, për të parandaluar përleshjet e mundshme me forcat e rendit.

Në Nju Jork, mund të shiheshin helikopterë e dronë teksa fluturonin, ndërsa policia zbarkoi në terren. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut tha se më shumë se 100 mijë njerëz u mblodhën për të protestuar paqësisht në të pesë lagjet e qytetit dhe se nuk pati arrestime në lidhje me protestën.

Në “Times Square”, një oficer policie që qëndronte aty pranë vlerësoi se mbi 20 mijë vetë po marshonin në rrugën “7th Avenue”.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar të këtij viti, Trump ka zgjeruar fushëveprimin e pushtetit presidencial, duke përdorur urdhra ekzekutivë për të dislokuar trupa të Gardës Kombëtare në shtetet amerikane, pavarësisht kundërshtimeve nga guvernatorët e tyre.

Po ashtu, Trump iu ka bërë thirrje zyrtarëve më të lartë të zbatimit të ligjit të administratës, që të ndjekin penalisht armiqtë e tij të perceptuar. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se masat e tij ishin të nevojshme për të rindërtuar vendin që ndodhej në krizë.

Por, kritikët paralajmërojnë se disa nga vendimet e administratës nuk janë kushtetuese, si dhe një kërcënim për demokracinë amerikane.

Protesta jo vetëm në SHBA

Në të gjithë Europën pati demonstrata edhe në Berlin, Madrid e Romë, ndërsa njerëzit treguan solidaritet me homologët amerikanë. Në Londër, disa qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës amerikane.

Protesta të ngjashme u zhvilluan në Toronto, ku demonstruesit pranë konsullatës amerikane tundnin pankarta me mbishkrimin: “Duart larg Kanadasë!”.