Bota

Turqi/ Kundërshtari politik i Erdogan paraqitet në gjykatë pas arrestimit!

Ekrem Imamoglu, kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rivali më i madh politik i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka bërë paraqitjen e tij të parë në gjykatë që nga arrestimi muajin e kaluar.

Ai është akuzuar për korrupsion dhe terrorizëm, por u shfaq në një gjykatë speciale në burgun Silivri, ku po akuzohet gjithashtu për përpjekje për të intimiduar prokurorin kryesor të Stambollit.

Arrestimi i Imamoglu ka shkaktuar protesta të mëdha kundër Erdoganit dhe është konsideruar një veprim politikisht të motivuar.

Opozita e ka quajtur arrestimin një “përpjekje grushti shteti” dhe ka kërkuar lirimin e tij. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për heqjen e akuzave dhe lirimin e Imamoglu. Ndërkohë, qeveria turke ka mohuar çdo ndërhyrje politike, duke insistuar se gjyqësori është i pavarur.

Dy gjykata të Stambollit urdhëruan sot lirimin e 107 studentëve të ndaluar për pjesëmarrje në mitingje pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Sipas një vendimi gjyqësor, arresti shtëpiak i 25 studentëve të tjerë u hoq gjithashtu nga një gjykatë e Stambollit.

Autoritetet turke, të përballura me një valë protestash të përmasave të paprecedentë që nga viti 2013, njoftuan më 27 mars se kishin arrestuar 1879 persona në qytete të ndryshme në të gjithë vendin. Që atëherë ata nuk kanë lëshuar asnjë njoftim tjetër përkatës.