Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha se Izraeli “e hedh poshtë me vendosmëri dhe përbuzje” urdhër-arrestin e Turqisë për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe disa zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ushtarakë, duke e quajtur atë “një tjetër veprim PR” nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Zyra e Prokurorit të Stambollit lëshoi ‘urdhërarreste’ për udhëheqës dhe zyrtarë të lartë izraelitë. Izraeli e kundërshton me vendosmëri dhe përbuzje këtë veprim të fundit të marrëdhënieve me publikun nga tirani Erdogan”, tha Saar, siç citohet nga Ministria e Jashtme.
Më 7 nëntor, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit lëshoi një urdhër arresti për Netanyahun, Ministrin izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, Ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, si dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, dhe disa zyrtarë të lartë ushtarakë, duke i akuzuar ata për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit” në Rripin e Gazës, si dhe sulm të flotës Sumud, e cila u përpoq të thyente bllokadën detare të enklavës palestineze.
Kjo nuk nënkupton që Netanjahu do të arrestohet nëse nuk udhëton për në Turqi (gjë që aktualisht është e pamundur, duke pasur parasysh marrëdhëniet midis dy vendeve). Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar ka pohuar se masa e Turqisë është një farë publiciteti.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit kanë qenë gjithmonë të tensionuara, por ato janë përkeqësuar më tej që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës.
Pasi tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli, Turqia pezulloi tregtinë në vitin 2024, duke synuar të ushtronte presion mbi qeverinë izraelite që të pranonte një armëpushim në Gaza, dhe iu bashkua Afrikës së Jugut duke akuzuar Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Më parë, presidenti Rexhep Tajip Erdogan e kishte kritikuar gjithnjë e më ashpër qeverinë izraelite: në vitin 2023, për shembull, ai e krahasoi Netanjahun me Hitlerin dhe operacionet ushtarake në vazhdim në Gaza me Holokaustin.