Pas muajsh zhvendosjeje, mijëra palestinezë po kthehen në Qytetin e Gazës, vetëm për të gjetur rrënoja në vend të shtëpive, lagjeve dhe institucioneve që dikur u dhanë jetë komuniteteve të tyre.
Jawad Mahmoud Ajjour, 80 vjeç, tha për CNN se ka qenë dëshmitar i zhvendosjeve masive në luftërat e viteve 1956 dhe 1967, por asgjë nuk krahasohet me atë që sheh sot. “Nuk kam parë kurrë një shkatërrim të tillë,” tha ai.
LEXO EDHE: Pas armëpushimit, rreth 250 mijë palestinezë të zhvendosur janë kthyer në Gaza
Një tjetër banore, Um Abdullah, ndau një video të një çerdhe të shkatërruar që motra e saj kishte drejtuar për mbi 20 vite. “Ajo mësoi breza të tërë. Disa prej tyre u bënë gazetarë, mjekë… Ishte më shumë se një çerdhe, ishte një gur themeli për të ardhmen,” tha ajo.
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 90% e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar. Nga 564 ndërtesa shkollore, 518 kërkojnë rindërtim të plotë ose rehabilitim të thellë.
Banori i kampit Al-Shati, Younis Ahmed Mahmoud, përshkroi kthimin në shtëpi si një përvojë tronditëse: “U humba në rrugë… Mezi e gjeta shtëpinë. Dukej sikur tërmet kishte goditur zonën.”
Prej fillimit të ofensivës izraelite në gusht, qindra mijëra banorë janë larguar nga Qyteti i Gazës. Forcat izraelite (IDF) vlerësojnë se rreth 900,000 nga 1 milion banorët janë zhvendosur.
Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), mbi 200,000 persona ndodhen ende në qytet, të rrethuar nga rrënoja dhe mungesa ekstreme e shërbimeve bazë.