Në më pak se dy javë nga vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, një tjetër ngjarje e rëndë raportohet në dyert e gjykatave. Një seancë gjyqi në Elbasan u kthye në përplasje. Policia arrestoi avokatin Ulian Bajrami, i cili debatoi ashpër me prokurorin Gjergji Ceka. Top Channel ka siguruar audioregjistrimin e debatit.
Avokati Bajrami: Do të merrem personalisht edhe me prokurorin, edhe me të gjithë oficerët e policisë. Do të bëj kallëzim.
Gjyqtarja: Avokat, nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit. Nuk ka rëndësi çfarë bëni ju me kë të doni, jashtë kësaj salle.
Avokati Bajrami: Po konstatoj vepër penale znj.gjyqtare.
Gjyqtarja: Avokat do të marr masa në bazë të asaj që më lejon Kodi i Procedurës. Ky lloj kërcënimi, me mua si gjyqtare, nuk të lejohet. Përqendrohu te mbrojtja që do t’i bësh të pandehurit ose do të caktoj një avokat tjetër e do të të nxjerr përjashta nëse vazhdon me këtë gjuhë komunikimi. Paralajmërimi i fundit.
Avokati Bajrami: Nga sa pashë, konstatoj pasqyrim të të dhënave të rreme…
Ndërkohë, menjëherë pas arrestimit të avokatit ka reaguar Dhoma Kombëtare e Avokatisë duke e konsideruar debatin, “përballje të armëve të barabarta në sallën e gjyqit”. Sipas kësaj dhome, avokatit i është hequr e drejta e fjalës, qëndrim që e mbështet edhe kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan, i cili ka qenë prezent në sallën e gjyqit, në momentin e debatit.
Debati mes avokatit dhe prokurorit erdhi pas interpretimit të provave, për të cilat ishin vënë në dispozicion pamjet filmike.
Bëhet fjalë për aksionin blic të disa ditëve më parë të Policisë së Elbasanit e ku u arrestua edhe shtetasi Maksim Suçi. Ndërsa Suçi akuzohet për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe armëmbajtje pa leje, pala mbrojtëse tha se në pamjet filmike, ai nuk ka qenë i pranishëm në konfliktin me policinë.
Pas seancës, prokurori bëri kallëzim ndaj avokatit, i cili u ndalua dje pasdite nga policia, për veprat penale “Kanosje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, si dhe “Kanosja e gjyqtarit”.
Si palë e përfshirë, nuk ka një reagim nga organi i akuzës. Pretendimet e saj, prokuroria do t’i paraqesë në seancë gjyqësore. Për këtë ngjarje reagoi dhe policia e Elbasanit:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan ndaluan me iniciativë shtetasin U. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, avokat, pasi gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, ka kanosur prokurorin e çështjes dhe oficerët e policisë gjyqësore, për shkak të detyrës së tyre funksionale.