Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mekanizmin e plotë të ngjarjes së rëndë, referuar vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit teksa po kryente detyrën.
Siç dhe është raportuar më herët ngjarja e rëndë ka ndodhur në sallën nr.3 të Gjykatës së Apelit. Përveç stafit të gjykatës dhe trupës gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Astrit Kalaja, në sallë kanë qenë dhe palët Gjon Shkambi së bashku me nipin e tij Elvis dhe Ragip e Ervis Kurtaj (babë e bir).
Gjatë kohës që Astrit Kalaja në cilësinë e gjyqtarit, po lexonte vendimin për çështjen në fjalë, vendim i cili nuk ishte në favor të Gjon Shkambit, nipi i tij ka nxjerrë nga brezi armën e zjarrit të llojit pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit. Të plagosur nga ky akt ekstrem mbetën dhe Elvis e Ragip Kurtaj teksa po tentonin të dilnin jashtë sallës për t’i shpëtuar plumbave.
LEXO EDHE: 260 gjyqtarë të Shqipërisë kërkojnë shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të gjykatësit Astrit Kalaja!
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit, pistolete me mbishkrimin “Welt Waffen W. Germany, Cal.765 mm, Browning”, më të cilën personi nën akuzë, Elvis Shkambi, dyshohet se ka kryer vrasjen. Pas kontrollit të bërë armës, është hequr krehri i saj, ku është konstatuar se arma kishte një fishek në folenë e saj gati për qitje dhe në krehër ishin dhe dy fishekë të tjerë të vendosur.
Sakaq, në parkingun e Xhamisë së Namazgjasë, është gjetur dhe sekuestruar një automjet në pronësi të Gjon Shkambit, i llojit “Mercedez Benz”, me traga AA900AA. Nga kontrolli i këtij automjeti janë gjetur 31 cope fishekë te kalibrit 9 mm, ne dukje fishekë manovër.