Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit mbahet seanca e radhës ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkeshortes Monika Kryemadhi.
Në seancë u paraqit edhe avokati i ri i Ilir Metës, Bujar Musta, i cili merr zyrtarisht mbrojtjen e kreut të Partisë së Lirisë, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me avokatin Kujtim Cakrani.
Ndryshimi i përfaqësimit ligjor u kërkua nga vetë Meta, i cili ka shprehur dëshirën që të mbrohet nga një avokat i angazhuar ekskluzivisht me çështjen e tij, për shkak të volumit të dosjes dhe nevojës për përfaqësim të vazhdueshëm gjatë procesit.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024. Meta dhe Kryemadhi po gjykohen për një dosje që përfshin tre hetime të bashkuara: çështjen CEZ-DIA, lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Prokuroria e Posaçme i akuzon Metën dhe Kryemadhin për veprat penale të korrupsionit pasiv, pastrimit të parave dhe fshehjes ose mosdeklarimit të pasurisë.