Aktualitet

Veliaj në paraburgim, avokati: Nuk ka rrezik për prishjen e provave!

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.

Avokati i Veliajt për seancën e sotme, Sokrat Gjermeni tha se kishte kërkuar masa më të lehta, si detyrim për paraqitje pesë herë në javë, garanci pasurore e ndalim të daljes jashtë shtetit, duke argumentuar se “nuk ekziston rrezik për prishjen e provave, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim”.

Avokati deklaroi se logjika e prokurorisë, sipas të cilës “provat mund të manipuloheshin”, nuk qëndron.

Logjika e prokurorisë ishte se provat sërish mund të manipuloheshin. Ne nuk jemi dakord me këtë logjikë, pasi provat sidomos ato shkresore janë të tilla që nuk mund të ndryshohen. Por, edhe për dëshmitarët nuk mund të ndryshojnë dëshmitë e tyre pasi kjo do të përbënte për ta vepër penale.

U kërkuan masa më të lehta si detyrim paraqitje 5 herë në javë, garancia pasurore, ndalim i daljes jashtë shtetit, por gjykata nuk mendoi kështu.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej rreth 1 viti, nga data 10 shkurt 2025. Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten, Ajola Xoxa, si dhe me disa ish-zyrtarë të Bashkisë Tiranë.