Aktualitet

Vrau gjyqtarin Kalaja, Elvis Shkambi i kërkon falje publike familjes: Institucionet nuk bënë detyrën!

Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjykatësit të Apelit, Astrit Kalaja, më 6 tetor deklaroi në seancën për dhënien e masës së sigurisë ndaj tij, se i kërkon falje publike familjes së gjyqtarit.

Ngjarja ka ardhur si pasojë e tronditjes psikike nga kalavari i gjatë i gjyqeve. Gjykata nuk e ka zgjidhur çështjen ndër vite, institucionet nuk kanë bërë detyrën, citohet të ketë thënë Shkambi në seancën me dyer të mbyllura, për arsye sigurie.

Gjykata e Tiranës e la në burg.

Ai akuzohet për “Vrasje të funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, si edhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Në burg u lanë edhe Gjon Shkambi, xhaxhai i ekzekutorit, si dhe roja i sigurisë së Apelit të Tiranës, Banush Koxhaj, i cili deklaroi:

Kam qenë i sëmurë para se të kalonin palët në skaner. Unë kam lajmëruar edhe kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë me pas, kancelarja më dha leje për t’u larguar, por nuk jam zëvendësuar.

Sipas të akuzuarve kryesorë, ngjarja ndodhi si pasojë e tronditjes së rëndë psikike, për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve për pronësinë në Shkodër. Familja Shkambi pretendon se çështja nuk është zgjidhur siç duhet.

Avokati i autorit, Kujtim Ibra tha se arma me të cilën, Elvis Shkambi qëlloi gjyqtarin në sallën e gjyqit nuk ka qenë me leje, por ekzekutori pretendon se mban armë pasi ka punuar si punonjës sigurie në disa institucione.

Ka vuajtur shumë sa i takon çështjeve civile, ka hyrë në shumë borxhe për shkak të një kalvari të gjatë. Tronditja ka qenë për shkak të vendimit të dhënë, duke qenë se do të kthehej edhe njëherë çështja në fillim. Arma nuk ka qenë me leje, por Shkambi pretendon se ka punuar në disa institucione. Ai kaq deklaroi në seancë.

Duhet t’i kërkojmë falje familjes Kalaja, ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Eshtë goditur një gjyqtar, është e pajustifikueshme. Gjyqtari dhe prokurori janë në zbtim të ligjit, nuk mund të vriten e unë besoj se kjo kambanë alarmi duhet të jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme.