Një grua që pretendon se është helmuar dhe përdhunuar nga Jeffrey Epstein ka folur për herë të parë publikisht, duke ndarë një dëshmi tronditëse për BBC Newsnight.
Gruaja, e identifikuar me pseudonimin “Nicky”, tregoi se e kishte takuar Epstein-in në moshën 19-vjeçare, kur punonte si modele.
Ajo rrëfeu se fillimisht ishte thirrur për t’i bërë një masazh në vilën e tij në Palm Beach, Florida.
Sipas saj, gjatë një vizite, Epstein i dha një gotë ujë, pas së cilës ajo humbi ndjenjat për disa orë.
Nuk kam kujtesë për të paktën 12 orë
-tha ajo, duke shtuar se u zgjua e sëmurë dhe e rënduar, me shenja që sugjeronin se ishte abuzuar seksualisht, edhe pse nuk mbante mend asgjë.
“Nicky” u shpreh se për vite me radhë ka ndjekur terapi të ndryshme për të rikuperuar kujtimet, por pa sukses.
Është bosh… nuk kam asnjë ide çfarë ndodhi
-tha ajo.
Ajo shtoi se përvoja traumatike e kishte çuar në mendime të errëta, duke përfshirë edhe dyshime për të ardhmen e saj. Megjithatë, vendosi të flasë publikisht, e inkurajuar nga rrëfimet e viktimave të tjera.
Tani ajo i bën thirrje Departamentit të Drejtësisë në SHBA që të publikojë të gjitha dokumentet e mbetura mbi rastin e Jeffrey Epstein, duke kërkuar transparencë dhe drejtësi.
Rasti i Epstein-it vijon të jetë një nga skandalet më të mëdha të abuzimit në nivel global, me shumë pyetje që ende presin përgjigje.