Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara kanë rikthyer në qendër të vëmendjes skandalin e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein.
Sipas dosjeve të FBI, Epstein dyshohet se kishte pranuar se ishte babai i fëmijës së njërës prej viktimave të tij.
Shënimet e hetuesve, të cilat datojnë nga janari i vitit 2020, përmbajnë dëshminë e një gruaje që pretendon se ishte abuzuar seksualisht nga Epstein për disa vite, duke nisur që nga mosha 16-vjeçare.
Sipas rrëfimit të saj, gjatë një vizite në rezidencën luksoze të Epstein në New York, ai i kishte treguar një fotografi të një gruaje bjonde në plazh, duke e prezantuar si “nënën e fëmijës së tij”.
Gruaja deklaron se e kishte njohur financierin në vitin 2005, kur punonte si modele adoleshente. Ajo kujton se në një nga dhomat e shtëpisë së tij ai i kishte treguar edhe një skulpturë të torsos së një gruaje.
Në dhomë ishte një skulpturë e torsos, si një kallëp. Epstein tha se ajo ishte bërë nga trupi i kësaj gruaje
-thuhet në shënimet e hetimit.
Pretendimet për fëmijë të mundshëm të Epstein nuk janë të reja. Së fundmi, gazeta britanike The Times raportoi për një tjetër viktimë që pretendon se kishte lindur një vajzë rreth vitit 2002, kur ishte vetëm 16 ose 17 vjeç.
Sipas dëshmisë së saj, foshnja iu mor vetëm 10 minuta pas lindjes, në një proces që, sipas saj, ishte mbikëqyrur nga Ghislaine Maxwell, ish-partnerja dhe bashkëpunëtorja e Epstein.
Ajo lindi, e dëgjova të qante. Pashë kokën dhe trupin e vogël në duart e mjekut. Ghislaine tha se ishte e bukur. Ku është ajo tani?
-thuhet në rrëfimin e viktimës.
Gruaja ka deklaruar gjithashtu se nuk dëshironte të kishte asnjë lidhje të përhershme me Epstein, duke përmendur edhe diferencën e madhe të moshës mes tyre.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Daily Mail, ekzistojnë edhe dëshmi të tjera sipas të cilave Epstein u kishte kërkuar disa grave të lindnin fëmijët e tij.
Publikimi i këtyre dokumenteve ka rikthyer edhe një herë në qendër të debatit publik një nga skandalet më të mëdha që përfshiu financierin amerikan, ndërsa shumë pyetje mbi rrjetin dhe veprimtarinë e tij vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.