Bisedime të drejtpërdrejta trepalëshe midis Shteteve të Bashkuara, Pakistanit dhe Iranit u zhvilluan në Islamabad, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, i cili tha se palët zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta, ballë për ballë, një ndryshim nga praktika e kohëve të fundit, ku delegatët nga Uashingtoni dhe Teherani flisnin vetëm përmes një ndërmjetësi, të ulur në dhoma të ndara. Delegacioni amerikan përfshinte zëvendëspresidentin J.D. Vance, të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner, tha Shtëpia e Bardhë.
Irani “është gati për çdo skenar pas bisedimeve të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara, qoftë ushtarake dhe mbrojtëse apo negociuese”, tha Zëvendës Ministri i Jashtëm Kazem Gharibabadi, anëtar i delegacionit iranian në bisedimet Teheran-Uashington në Islamabad. Sipas Tasnim, Gharibabadi shprehu shpresë për “përfundime pozitive në bisedime, duke marrë parasysh seriozitetin e delegacionit iranian dhe pozicionin e forcës së Iranit”. Ndërkohë, një tjetër anëtar i delegacionit iranian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei, tha se të dy palët kishin filluar të shkëmbenin mesazhe që nga nata e kaluar, pasi delegacionet e tyre përkatëse mbërritën në Islamabad. “Ne theksuam nevojën për një armëpushim gjithëpërfshirës midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara-Izraelit. Ne jemi gjithashtu në kontakt me Libanin për të verifikuar nëse një armëpushim gjithëpërfshirës është zbatuar atje”, tha ai.
Këto janë bisedimet në nivelin më të lartë mes SHBA-së dhe Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe negociatat e para zyrtare ballë për ballë mes dy palëve që nga viti 2015, kur u arrit marrëveshja për programin bërthamor të Iranit. Donald Trump e anuloi këtë marrëveshje në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë.
Ndërkohë që sytë e botës janë nga Islamabadi, presidenti i SHBA-së Donald Trump postoi në profilin e tij në ‘Truth Social’ një status ku shkruan se “Një numër i madh cisternash plotësisht të zbrazëta, disa nga më të mëdhatë në botë, po shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara tani për t’u ngarkuar me naftën (dhe gazin) më të mirë dhe më të ëmbël në botë! Ne kemi më shumë naftë sesa dy ekonomitë më të mëdha prodhuese të naftës në botë së bashku, dhe me cilësi superiore. Po ju presim. Dorëzim i shpejtë!”.