Bota

Udhëheqësit europianë në Londër për të biseduar mbi Ukrainën!

Në Londër sot mbahen bisedime për Ukrainën ndërsa udhëheqësit europianë po tentojnë të rimëkëmben nga tronditja kolektive dhe tmerri pas vizitës katastrofike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington, dy ditë më parë. Para nisjes së samitit, kryeministri britanik, Keir Starmer tha se “Britania, Franca dhe Ukraina ranë dakord që të punojnë mbi një plan për armëpushim” e që do t’ia “paraqesin Shteteve të Bashkuara”.

Plani doli në përfundim të bisedimeve mes tyre, pas përplasjes që Zelensky, pati me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Starmer i tha BBC-së se beson që Trump dëshiron paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Ai përsëriti qëndrimin se garancitë e sigurisë do të jenë të nevojshme që paqja të jetë e qëndrueshme. Një ditë më parë, kryeministri britanik priti Zelensky-n në zyrën e tij dhe u njoftua për një hua 2.84 miliardë dollarë për Ukrainën.

Huaja do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse, deklaroi Zelensky.

Nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelensky-n, pas përplasjes së paprecedentë e të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, duke e bërë të largohej më herët nga Shtëpia e Bardhë dhe duarbosh. Konferenca në Londër, merr rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit Trump-Zelensky, me gjasë do të jetë pikë kryesore e axhendës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili gjendet në Londër, u shpreh se “Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin”.  Trump deklaroi se “Zelensky mund të kthehet kur të dëshirojë paqe”.

Para konferencës, Starmer takohet ndarazi me kryeministren italiane. Giorgia Meloni mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Europës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës. Një mbështetëse e Ukrainës, po ashtu, Meloni është ideologjikisht e afërt me Trump-in dhe ai e ka lavdëruar.

Edhe para vizitës së Zelensky-t në Uashington, europianët treguan se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën Trump. Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Europa, nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqen në Ukrainë, si dhe për shkak të shenjave se SHBA-të e Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe u përqendruan në atë, nëse Europa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.