Bota

Ukraina vuan të ftohtin dhe errësirën pas sulmeve të fundit ruse!

Lufta në Ukrainë në ditën e 1 mijë e 355-të. Ukraina po përpiqet të rivendosë ndriçimin dhe ngrohjen pasi sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike e zeruan kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike. Gjatë natës, Moska lëshoi ​​qindra dronë. Sulmet ndërprenë furnizimin me energji elektrike, ngrohje dhe ujë në disa qytete ukrainase.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh se është gati të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, pavarësisht thashethemeve se ai ishte përgjegjës për anulimin e samitit Trump-Putin. Ndërkohë, një dron i ri u pa në aeroportin e Liezhit në Belgjikë ku hapësira ajrore u mbyll për gjysmë ore.

Mbretëria e Bashkuar po dërgon personel dhe pajisje ushtarake në Belgjikë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së hapësirës ajrore pas ndërhyrjeve të shumta me dronë, që dyshohet se janë kryer nga Rusia.

Kreu i ushtrisë britanike, Sir Richard Knighton, deklaroi se homologu i tij belg kishte kërkuar ndihmë në fillim të kësaj jave dhe se pajisjet e forcat britanike janë duke u dislokuar.

Ndërhyrjet e dronëve shkaktuan edhe mbylljen e përkohshme të aeroportit kryesor të Belgjikës, Zaventem, të enjten në mbrëmje ndërsa u konstatuan edhe pranë një baze ushtarake. Knighton shtoi se megjithëse jo e konfirmuar, duket “e besueshme” që Moska qëndron pas këtyre veprimeve.

Aleatët e NATO-s, përfshirë Gjermaninë, po ofrojnë mbështetje shtesë, ndërsa Ministria gjermane e Mbrojtjes njoftoi se do të ndërmarrë masa kundër dronëve, pas një kërkese nga Brukseli.

Në muajt e fundit, ndërprerjet e fluturimeve nga dronët janë shfaqur në shumë vende europiane, përfshirë Suedinë, Norvegjinë dhe Danimarkën. Por, Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në këto incidente, pavarësisht se disa zyrtarë i konsiderojnë si pjesë të një “lufte hibride”.