Bota

Ukrainë, një sulm i ri rus në kryeqytetin Kiev shkaktoi tre të vdekur!

Lufta në Ukrainë arriti në ditën e 1 mijë e 341-të. Gjatë natës, një sulm i ri me dronë rus ndaj Kievit shkaktoi tre viktima e të paktën 29 të plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri sërish thirrje për raketat Patriot:

Ne po i kushtojmë vëmendje të veçantë sistemeve Patriot, në mënyrë që të mbrojmë qytetet tona nga ky ferr. Amerika, Europa dhe vendet e G7-ës mund të ndihmojnë në sigurimin që sulme të tilla të mos përbëjnë më kërcënim.

Ndërkaq, Moska zyrtare po teston një raketë të re me energji bërthamore. Presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh:

Nuk ka të barabartë.

Kirill Dmitriev, i dërguari special i shefit të Kremlinit, Vladimir Putin për Bashkëpunimin Ekonomik, i tha CNN-it se:

Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina janë shumë afër zgjidhjes diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump tha se nuk do të humbasë kohë që të takojë Putinin, nëse lideri i Kremlinit nuk është gati të bëjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Ta dini se duhet ta arrijmë një marrëveshje. Nuk do të humb kohë kot, iu deklaroi Trump gazetarëve teksa udhëtonte për në Majalzi, nga ku nisi një tur aziatik.

Kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mrekullueshme me Vladimir Putinin, por kjo ka qenë tepër zhgënjyese. Kam menduar se lufta do të përfundonte para se të arrihej paqja në Lindjen e Mesme.

Trump bisedoi me Putinin javën e kaluar dhe tha se planifikon ta takojë në Budapest brenda disa javësh. Megjithatë, presidenti amerikan e anuloi më vonë takimin, duke u shprehur se “palët do të takohen më vonë”.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar amerikan të ketë thënë se “administrata Trump ka përgatitur sanksione shtesë kundër ekonomisë ruse, të cilat mund të zbatohen nëse Putin e refuzon marrëveshjen për paqe”.

Shtetet e Bashkuara i tronditën tregjet e energjisë në të gjithë botën më 22 tetor, kur njoftuan se do t’i sanksionojnë kompanitë ruse të energjisë, Rosneft e Lukoil, që besohet se përmes eksporteve të naftës, financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.

Një ditë më vonë, edhe Bashkimi Europian vendosi sanksione ndaj Rosneft-it e Gazpromneft-it, një tjetër kompani e madhe e naftës, degë e gjigantit shtetëror rus, Gazprom.