Aktualitet

Ulen temperaturat, rifillon dëbora në veri e në juglindje!

Në Boboshticë-Dardhë e në Bogë-Theth kanë filluar reshjet e dëborës. Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se në rrugët ku bie dëborë ka nisur pastrimi.

Grupet e punës me mjetet borëpastruese bënë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të shmangur ngricat se sipas parashikimit të motit, gjatë natës së sotme pritet një ulje e ndjeshme e temperaturës në të gjithë vendin. ARRSH-ja u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore me prani dëbore.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se për ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa dhe të ftohta me origjinë veriperëndimore.

Moti në pjesën e parë të ditës nisi me vranësira mesatare e deri të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar, në pjesën më të madhe të territorit. Në relievet malore në lindje, në lartësitë mbi 700-800 metër ka reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar.

Pas orëve të mesditës, në zonën e veriut dhe qendër vijon mot kryesisht i kthjellët ndërsa në zonën e jugut, me kthjellime e vranësira, që shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites, mot i kthjellët në të gjithë territorin.

Era fryn me drejtim veriperëndim-verilindje e me shpejtësi mesatare 4-12 m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era fiton shpejtësi 14-24 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 4-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër
8/14
Re shi diell

Kukës
3/8
Re shi/borë diell

Lezhë
7/15
Re shi diell

Dibër
2/7
Re shi/borë diell

Durrës
7/14
Re shi diell

Tiranë
8/14
Re shi diell

Elbasan
6/15
Re shi diell

Berat
5/15
Re shi diell

Vlorë
8/14
Re shi diell

Korçë
2/7
Re shi/borë diell

Gjirokastër
6/15
Re shi diell

Sarandë
7/14
Re shi diell