Rajoni

UNESCO kërkon mbrojtje urgjente për Ohrin nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria!

UNESCO sërish paralajmëron se rajoni i Ohrit është në rrezik nga ndërtimet e paligjshme, nga urbanizimi dhe planifikimi i papërshtatshëm. Nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkohen veprime urgjente për ruajtjen e këtij thesari natyror dhe kulturor, në mënyrë që të mos futet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Ky është raporti i tretë i UNESCO-s që thotë se ndërhyrjet e papërshtatshme, urbanizimi, planifikimi hapësinor jo i përshtatshëm dhe projektet infrastrukturore po shkaktojnë dëme të pariparueshme. Rajoni i Ohrit mund të humbasë vlerën e tij të jashtëzakonshme universale, në një afat të shkurtër ose të mesëm kohor.

Përgjegjësia për Rajonin e Ohrit nuk bie vetëm mbi Maqedoninë e Veriut. Detyrime ka edhe Shqipëria pasi një pjesë e Liqenit të Ohrit që gjendet në territorin shqiptar është nën mbrojtje që nga viti 2019. Ndër të tjera, vendi ynë duhet të rishikojë Planin e përgjithshëm të Pogradecit, të parandalojë zhvillimin urban në bregdet, si dhe në zonën e ndjeshme të Drilonit.

Eshtë e nevojshme që të dyja vendet të hartojnë një vlerësim strategjik mjedisor që do të analizojë efektet e aktiviteteve zhvillimore, thekson UNESCO, duke shtuar se dialogu ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të intensifikohet, nga niveli më i lartë institucional, deri në atë operacional, për të siguruar një zbatim të suksesshëm të rekomandimeve.

Deri më 1 shkurt 2025, të dyja vendet janë të detyruara të paraqesin një raport të përbashkët për progresin dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e rajonit.

Eshtë urgjentisht i nevojshëm një mobilizim i gjerë për të ruajtur vlerën e jashtëzakonshme universale të rajonit të Ohrit. Vendosja në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik mbetet një opsion nëse nuk merren masat e nevojshme, paralajmëron UNESCO.

Ohri, një simbol i historisë së pasur dhe bukurisë natyrore, përballet me një sfidë që kërkon forca të bashkuara nga të dyja vendet dhe vendosmëri për të ruajtur trashëgiminë e tij për brezat e ardhshëm. Zbatimi i rekomandimeve për kërcënimet ndaj Liqenit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar të Galiçicës po shqyrtohet edhe nga Komiteti i Konventës së Bernës.

Në raportin e ri të publikuar këto ditë, ndër të tjera, UNESCO kërkon rishikimin e planeve urbanistike për Ohrin dhe Strugën, ndalimin urgjent të ndërtimeve në Kënetën e Studençishtës, si dhe zgjidhjen e problematikës së ndërtimeve pa leje që dëmtojnë karakterin autentik të rajonit.