Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, ka shprehur shqetësime për fatin e disa vendeve të trashëgimisë në Lindjen e Mesme pas bombardimeve të objektivave në Iran nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Të hënën, Pallati Golestan në Teheran u godit nga mbeturina dhe valë tronditëse pas një sulmi ajror në Sheshin Arg aty pranë, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr. Raportohet se u dëmtuan dritaret, dyert dhe pasqyrat e pallatit.

Sipas UNESCO-s, Pallati Golestan ndodhet “në zemër të qendrës historike të Teheranit”. Ky pallat i rrethuar është një nga komplekset më të vjetra në qytet.
Ai u zgjodh si seli e qeverisë nga familja sunduese Qajar, e cila erdhi në pushtet në vitin 1779 dhe e bëri Teheranin kryeqytet të vendit”, thuhet në faqen zyrtare.
I ndërtuar rreth një kopshti të përbërë nga liqene dhe zona të mbjella, ai fitoi tiparet dhe zbukurimet e tij më karakteristike në shekullin e 19-të.
Faqja thekson se është “i përbërë nga tetë struktura të rëndësishme, të përdorura kryesisht si muze, të rrethuara nga një mur i jashtëm i shpuar me porta”.

UNESCO deklaroi se ka “komunikuar me të gjitha palët e përfshira në koordinatat gjeografike të vendeve në Listën e Trashëgimisë Botërore si dhe të atyre me rëndësi kombëtare, për të shmangur çdo dëmtim të mundshëm.”
UNESCO kujton gjithashtu se:
Pasuria kulturore mbrohet nga e drejta ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa e Hagës e vitit 1954 për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore në Rast Konflikti të Armatosur, përfshirë mekanizmin e saj të mbrojtjes së shtuar, si dhe nga Konventa e vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore. / shqip.al