Aktualitet Bota

27 janari, Dita e Përkujtimit të Holokaustit/Polonia shpërfill Rusinë, nuk i dërgon ftesë për ceremonitë!

Sot është Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit. Më 27 janar të vitit 1945 trupat sovjetike të Armatës së 60-të të “Frontit të parë ukrainas”, mbërritën pranë qytetit polak të Aushvicit, ku zbuluan kampin e përqendrimit dhe liruan ata që u kishin mbijetuar torturave naziste.

Zbulimi i Aushvicit si dhe dëshmitë e të mbijetuarëve, qartazi prezantuan para botës mizoritë e gjenocidit nazist.

Për të parën herë, hapja e portës së Aushvicit i tregoi tërë botës jo vetëm dëshmitë rrëqethëse të të mbijetuarve, por edhe instrumentet e torturave e të shfarosjes, të përdorura në kampet e përqendrimit.

Edhe pse më herët, Ushtria e Kuqe kishte çliruar të tjera kampe përqendrimi ai ato në Majdanek, Belzec, Sobibor e Treblinka, u vendos që Dita e Përkujtimit të përkonte me çlirimin e Aushvicit.

Kjo ditë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën 60/7 të 1 nëntorit të vitit 2005.

Përfaqësuesit rusë nuk janë ftuar në ceremoninë e 78-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të vdekjes të Aushvic-Birkenaut nga Ushtria e Kuqe. Vendimi lidhet me agresionin rus kundër Ukrainës.

Shqipëria është vlerësuar si vend, i cili gjithmonë ka mbrojtur hebrenjtë që erdhën nga jashtë. Mbrëmë në aktivitetin “Besa e përjetshme” të zhvilluar në Tiranë e që ndërthuri historinë e muzikën , Presidenti i Nderit i “Israeli House Albania”, Yehiel Hilik Bar deklaroi:

Për fat të keq, gjyshi im nuk erdhi këtu në Shqipëri… Ne do të vazhdojmë gjithmonë t’i ruajmë këto raporte, sepse nuk do të harrojmë kurrë si populli juaj na mirëpriti, duke na ofruar një strehë të sigurt, mbrojtje nga nazistët. Ne nuk do të harrojmë kurrë si Shqipëria ishte vendi që strehoi më shumë hebrenj, pas luftës sesa para saj. Do të jemi mirënjohës që kombi juaj është angazhuar që t’i mësojë brezit të ri se ç’ishte Holokausti. Falë asaj që ju keni bërë për ne, ne do jemi gjithmonë motra e vëllezër. Më 27 janar do të mbajmë zi e do të qajmë bashkë, por mbi të gjitha s’do të harrojmë se çfarë ndodhi.