Zyrtarisht, sot Shqipëria feston 29 Nëntorin, 80-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Me vendim të Këshillit të Ministrave ky është Vit Jubilar Mbarëkombëtar, për të shërbyer për përkujtimin e përfundimit të betejës së shqiptarëve për çlirimin nga pushtimi nazifashist. Kjo edhe si një përkujtesë e detyrës qytetare të çdo shtetasi shqiptar për të mbrojtur atdheun kur është në rrezik.
Në këtë kuadër, të gjitha institucionet shtetërore e përçuan mesazhin përmes logos së miratuar, në çdo shkresë zyrtare, që do të vazhdojë të përdoret deri në fund të vitit 2024.
Si çdo vit, në përkujtim të kësaj dite, pritet që autoritetet më të larta shtetërore të kryejnë homazhe në Varrezat e Kombit, ndërsa në program janë një sërë aktivitetesh, në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe sakrificës sublime të tyre.
Institucione të ndryshme të kulturës kanë njoftuar për një program të larmishëm, si një mundësi e shkëlqyer për të festuar kulturën, historinë dhe traditat shqiptare me aktivitete që përfshijnë artin, muzikën, vallen, ekspozita e jo vetëm. Kryeministri Rama uron 29 Nëntorin. Në një postim në rrjetet sociale, shkruan:
MIRËMËNGJES
dhe me Diansin, vogëlushi që erdhi në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” dje, në Ditën e bekuar të Pavarësisë, ju uroj sot të gjithëve Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit!
