Auto & Moto Bota

Agresioni rus në Ukrainë, Ford merr vendimin drastik!

Prodhuesi amerikan i automjeteve Ford njoftoi së fundmi se ka finalizuar një dalje të plotë nga Rusia me shitjen e aksioneve të saj në një sipërmarrje të përbashkët me bazë në rajonin e Moskës. Sipas mediave të huaja, Ford ishte në mesin e një numri të prodhuesve të huaj të automjeteve që pezulluan operacionet në Rusi në mars, pasi presidenti Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën 8 muaj më parë.

Ford tha në një deklaratë se ka arritur një marrëveshje për të shitur 49% të aksioneve të saj në sipërmarrjen e përbashkët Sollers Ford, e cila u krijua në 2011, për një “vlerë nominale”. “Nëse situata globale ndryshon”, Ford tha se ruan opsionin për të blerë aksionet e saj brenda pesë viteve të ardhshme.

Qindra kompani perëndimore janë larguar nga Rusia që nga fillimi i agresionit më 24 shkurt, me sektorët e teknologjisë dhe prodhimit të makinave të Rusisë të goditur veçanërisht nga sanksionet perëndimore dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit ndërkombëtar.

Rikujtojmë, se së fundmi Mercedes-Benz u bë kompania më e fundit perëndimore që u largua nga tregu i Rusisë. Mercedes ka vendosur që të largohet krejtësisht nga tregu rus dhe do t’ua shesë aksionet investitorëve rusë. Kompania japoneze, Nissan gjithashtu u largua nga Rusia më herët gjatë këtij muaji, e duhet thënë se në mënyrë të njëjtë kanë vepruar edhe të tjera kompani që prodhojnë automjete, të tilla si Toyota e Renault.