Celebrities Fashion

Alessandro Michele ‘braktis’ Gucci-n pas 7 vitesh!

Duket se drejtori kreativ i Gucci-t Alessandro Michele ka hequr dorë nga roli i tij. Grupi francez Kering, i cili zotëron Gucci-n midis markave të tjera luksoze, njoftoi së fundmi largimin e tij. Michele e ka mbajtur këtë rol që nga viti 2015. Në një deklaratë, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Kering, François-Henri Pinault, falënderoi Michele-n për mandatin e tij 7-vjeçar.

“Pasioni, imagjinata, zgjuarsia dhe kultura e tij e vendosën Gucci-n në qendër të skenës, ku e ka vendin”, tha ai. Kering nuk ka treguar se kush do ta pasojë Michele-n. Udhëhequr nga CEO i Gucci-t, Marco Bizzarri, emërimi i Michele nga drejtuesi i aksesorëve në drejtor kreativ në vitin 2015 erdhi si një tronditje për industrinë e modës.

Megjithatë, ai ndihmoi shpejt për të nxitur një periudhë rritjeje të fortë dhe rindezi entuziazmin rreth shtëpisë luksoze italiane të modës. Të ardhurat e Gucci-t pothuajse u trefishuan gjatë kohës së Michele-s në këtë rol. Rikujtojmë, se për muaj të tërë industria e modës ka eksperimentuar për t’u përshtatur me realitetet e reja të tregut, NFT-të, metaverse dhe monedhat digjitale.

“Gucci”, marka e modës e themeluar në vitin 1921 nga Guccio Gucci në Toskanën italiane ka vendosur të ndërmarrë një hap të rëndësishëm që mund të motivojë markat e tjera në këtë sektor të bëjnë të njëjtën gjë. Nga tani e tutje “Gucci” do të pranojë pagesa në kriptomonedha. Pagesat me kripto në dyqan do të kryhen me një link të dërguar në emailin e klientit dhe pikërisht ky link përmban një kod QR që i lejon ata të kryejnë pagesën nga portofoli i tyre kripto.