Aktualitet

AMA: Të shmangen publikimet e të dhënave të hakeruara!

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka identifikuar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike.

Në një njoftim për shtyp, AMA thekson:

Mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, sipas përfaqësuesve të prokurorisë që po hetojnë rastet.

Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licencuara, AMA, ka pritshmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.

Fakt është një pjesë e OSHMA-ve nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive bën apel dhe kërkon që dhe nga OSHMA të tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues.

Një ditë më parë, prokuroria urdhëroi mediat të mos publikojnë asnjë nga të dhënat e hakeruara, duke vënë në dukje se në këto kushte, kryejnë vepër penale. Por, Neni 191 pika a e Kodit të Procedurës Penale përcakton qartë se prokuroria nuk mund të ndalojë mediat të publikojnë të dhëna që tashmë janë bërë publike. Këtë vendim e merr vetëm gjykata.