Film & Tv

Arabia Saudite paralajmëron Netflix, seriali “Jurassic World: Camp Cretaceous” bëhet “mollë sherri”!

Së fundmi, disa shtete arabe i kanë kërkuar Netflix që të heqë të gjitha materialet nga platforma e vet, që shkelin vlerat dhe parimet e islamit dhe shoqërisë. Në një deklaratë për mediat, Këshilli i Mediave Saudite dhe Vendeve të Gjirit, një organ monitorues, tha se disa filma dhe seriale, mes tyre edhe ato për fëmijë, bien ndesh me rregullat.

Edhe pse agjencia nuk dha detaje të mëtejshme, televizioni shtetëror saudit shfaqi disa pamje nga seriali “Jurassic World: Camp Cretaceous”, ku dy vajza adoleshente puthen pasi i shprehin dashurinë njëra-tjetrës. Në raportin monitorues përfshihen edhe pamje nga filmi francez “Cuties”, që akuzohet për dhënie të mesazheve të pamoralshme që kërcënojnë rritjen e shëndetshme të fëmijëve.

Autoritetet paralajmërojnë që nëse Netflix nuk i përmbahet direktivave, atëherë do të merren masat e përshtatshme. Edhe pse Arabia Saudite nuk ka ligje që rregullojnë orientimin seksual të njerëzve, apo identitetin gjinor, marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore, si dhe ato homoseksuale, janë të ndaluara rreptësisht. Sipas ligjeve fetare, marrëdhënia homoseksuale dënohet me vdekje apo rrahje me kamxhik, në varësi të rastit.

Ndërkaq, platforma Netflix pritet që në muajin nëntor të vendosë në zbatim planin e tij më të lirë të shërbimit të mbështetur nga reklamat, në mënyrë që të dalë pak më përpara zbatimit të nivelit të transmetimit nëpërmjet reklamave të Disney+ më 8 dhjetor. Në korrik, Netflix iu tha investitorëve se po synonte zbatimin e planit të mbështetur nga reklamat “rreth fillimit të vitit” 2023. Por tani, shërbimi me reklama nga Netflix pritet të dalë drejtpërsëdrejti më 1 nëntor në shumë vende, duke përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë, sipas burimeve të industrisë që janë informuar mbi planet e transmetuesit.