Sport

Bayern Munich humbet dhe komplikon rrugën drejt titullit kampion…

Bayern Munich ka dështuar në shtëpi ndaj Werder Bremen duke pësuar humbje me rezultat 1-0 në kuadër të javës së 18-të të Bundesligas. Mysafirët në fillimin e ndeshjes dhe në pjesën e parë në përgjithësi ishin shumë kërkues, duke rrezikuar disa herë portën e bavarezëve. Jens Stage, Mitchell Weiser dhe Justin Njinmah kishin raste të mira, me këtë të fundit që edhe shënoi gol, por që u anulua nga VAR. Bayern Munich kishte vetëm një rast të mirë në pjesën e parë, kur Dayot Upamecano rrezikoi portën e Werder Bremen.

Me të filluar pjesa e dytë, mysafirët arritën të gjenin golin e epërsisë, kur Weiser mposhti Manuel Neuerin për 1-0. Pasin pësuan gol, Bayern Munich u lëshua në sulm për të shënuar golin e barazimit duke rrezikuar me Leroy Sane, Harry Kane dhe Mathys Rel, por që nuk arritën të shënonin. Pas kësaj humbjeje, Bayern Munich mbetet në vendin e dytë me 41 pikë, shtatë më pak se sa Bayer Leverkusen që është në vendin e parë. Rikujtojmë se disa kohë më parë, klubi bavarez reagoi rreth krijimit të Superligës Evropiane. Jan Christian Dreesen, drejtor i Bayernit dhe zëvendëskryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane foli kundër idesë së Superligës.

Ne kemi marrë parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon qëndrimin e FC Bayern dhe ECA se një garë e tillë do të ishte një sulm ndaj rëndësisë së ligave kombëtare dhe strukturës së futbollit evropian. Bundesliga është themeli i FC Bayern, ashtu si të gjitha ligat kombëtare janë themeli i klubeve të tjera evropiane të futbollit. Prandaj është detyra jonë dhe bindja jonë e thellë t’i forcojmë, jo t’i dobësojmë. Ne jemi të përkushtuar edhe në garat evropiane të klubeve nën ombrellën e UEFA-s. Kështu që më lejoni ta bëj shumë të qartë edhe një herë se dera e Superligës mbetet e mbyllur në FC Bayern.