Bota Sport

Biden: Po punojmë për ta kthyer në SHBA basketbollisten e arrestuar në Rusi

Presidenti Joe Biden ka telefonuar bashkëshorten e basketbollistes Brittney Griner, e cila është arrestuar në Rusi, dhe i është zotuar se po punon për ta fituar lirimin e saj sa më shpejt të jetë e mundur, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën. Griner u arrestua në shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. Sipas policisë ajo po transportonte cigare elektrike me vaj kanabisi.

Biseda e Biden me gruan e Griner, Cherelle Griner, vjen pasi Brittney Griner i shkroi një letër Biden të hënën.

Në letër, Brittney Griner i tha presidentit se kishte frikë se do të kalonte përgjithmonë në një burg rus. Ajo ndodhet në paraburgim prej katër muajsh.

Ajo më 1 korrik u paraqit në seancën gjyqësore në Moskë, pas më shumë se katër muajsh që kur u arrestua.

Në një seancë me dyer të mbyllura, periudha e paraburgimit e Griner u zgjat edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Arrestimi dhe gjyqi i sportistes amerikane vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në pikën e tyre më të ulët.

Griner u arrestua më pak se një muaj para se Rusia të dërgonte trupat në Ukrainë, çka rriti edhe më shumë tensionet mes dy shteteve.

Pushtimi solli sanksione të shumta të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndërkohë që Rusia dënoi dërgimin e armëve në Ukrainë nga ana e SHBA-së.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi të premten që arrestimi dhe gjyqi ndaj Griner po ndikohej nga situata aktuale politike mes dy vendeve..

“Faktet janë që sportistja e famshme u ndalua pasi iu gjendën medikamente të ndaluara që përmbanin substanca narkotike”, deklaroi Peskov për gazetarët. “Duke marrë parasysh këto fakte, nuk ka se si të jetë e motivuar politikisht,”shtoi ai.

Mbështetësit e Griner shpresonin që çështja të zgjidhej pa shumë bujë, deri para muajit maj, kur Departamenti Amerikan i Shtetit e ri-klasifikoi atë “një person të ndaluar padrejtësisht” dhe duke e kaluar çështjen e saj tek krye-negociatori i qeverisë amerikane.