Fashion

Bie poshtë padia e markës Balenciaga pas reklamës shumë të përfolur!

Problemet mesa duket nuk paskan fund për markën prestigjioze Balenciaga. Në fillim u kritikua për modelet e ndryshme dhe mjaft të çuditshme të vathëve, çantave, shapkave dhe në fund për një model të arushëve të pelushit për fëmijë. Në lidhje me këtë çështje së fundmi ka deklaruar se do të heqë dorë nga padia e saj prej 25 milionë dollarësh kundër prodhuesve të reklamës së përfolur.

Shtëpia e modës ngriti padinë një javë më parë kundër një kompanie produksioni dhe skenografi, pasi fushata e saj e pranverës 2023 përfshinte dokumente nga një çështje e Gjykatës së Lartë në lidhje me porn0grafinë e fëmijëve. Marka u përball gjithashtu me reagime pasi tregonte një tjetër fushatë me fëmijë që mbanin arushë pelushi me veshje robërie. Mirëpo, të premten, Balenciaga tha se po pushonte proceset gjyqësor.

Ndërkohë, drejtori kreativ, Demna, kërkoi falje në Instagram për fushatën.

Dua të kërkoj falje personalisht për zgjedhjen e gabuar artistike të konceptit për fushatën e dhuratave me fëmijët dhe marr përgjegjësinë time. Ishte e papërshtatshme që fëmijët të promovonin objekte që nuk kishin të bënin me ta. Sado që ndonjëherë do të doja të provokoja një mendim përmes punës sime, KURRË nuk do të kisha ndërmend ta bëja këtë me një temë kaq të tmerrshme si abuzimi i fëmijëve që unë e dënoj. Më duhet të mësoj nga kjo, të dëgjoj dhe të angazhohem me organizatat për mbrojtjen e fëmijëve për të ditur se si mund të kontribuoj dhe ndihmoj në këtë temë të tmerrshme. I kërkoj falje kujtdo që është ofenduar nga pamjet vizuale dhe Balenciaga ka garantuar se do të merren masat e duhura jo vetëm për të shmangur gabime të ngjashme në të ardhmen, por edhe për të marrë përgjegjësi në mbrojtjen e mirëqenies së fëmijëve në çdo mënyrë që mundemi.