Bota

Bllokohet Heathrow, punonjës të aeroportit në grevë pa afat

Qindra punonjës të British Airways në aeroportin e Heathrow votuan sot për të hyrë në grevë pas një mosmarrëveshje për pagat.

Janë rreth 700 punonjës që kanë vendosur të bllokojnë punën në ditët në vijim pasi thonë se nuk kanë marrë atë se çfarë u është premtuar.

British Airways nga ana tjetër tha se sindikatat kishin refuzuar një rritje pagash prej 10% , por punonjësit pretendojnë se oferta e linjës ajrore ishte një ‘bonus’ për vetëm një herë dhe anëtarët e saj duan që të kthehet paga e plotë.

Heathrow, aeroporti më i madh i Britanisë është zhytur në kaos që nga marsi pasi një numër i madh i stafit në siguri, kontrollin e trafikut të aeroportit dhe trajtimin e bagazheve u pushuan nga puna gjatë pandemisë.

Aeroporti ka dështuar të menaxhojë një ‘krizë të bagazheve’ e cila ka sjellë një kaos me grumbullimin e tyre jashtë Terminalit 2. Pasagjerët që kanë humbur bagazhet e tyre janë ankuar në mediat sociale se janë detyruar të presin një javë për të rigjetur çantat e tyre.

Dhjetëra mijëra pasagjerë janë goditur tashmë nga ndërprerja e punës në aeroport me anulimet e fluturimeve në javët e fundit dhe ndërkohë, gjysma e rrjetit hekurudhor është mbyllur në Angli, Uells dhe Skoci si pjesë e një greve të dytë hekurudhore këtë javë

Vetëm një në pesë trena qarkullojnë, kryesisht në linjat kryesore , ndërsa në disa zona të tjerë raportohet se nuk ka trena fare.